Projekti “Duaj dhe respekto fëmijët me aftësi të kufizuara”

lovres2
Projekti “Duaj dhe respekto fëmijët me aftësi të kufizuara” u realizua nga zyra Diakonia Agapes gjatë vitit 2009 me financimin e Churches Helping Churches – Gjermani me qëllimin që të kontribuonte në rritjen e nivelit të përfshirjes sociale së fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe promovimin për një shoqëri jo diskriminuese ndaj tyre. Projekti mbështeti rreth 120 fëmijë me nevoja të veçanta që ndiqnin përkatësisht dy institucione: Shkollën Speciale, Durrës dhe Qendrën e Zhvillimit të Fëmijëve “Pëllumbat”, Tiranë. Stafet e të dyja shkollave punuan me përkushtim për të motivuar fëmijët që të merrnin pjesë në aktivitetet e organizuara siç ishin: seancat edukative, praktike dhe kulturore.

Seancat edukative ishin aktivitete të organizuara çdo ditë në formën e mësimit për fëmijët gjatë të gjithë vitit akademik ku plani i detajuar mësimor përgatitej për çdo fëmijë në mënyrë të veçantë që të mund të ndiqej progresi i bërë dhe konsistonin në përvetësimin e koncepteve bazë të matematikës, kombinimin e shkronjave për të formuar fjalë apo të fjalëve për të formuar fraza. Për t’i realizuar aktivitetet në mënyrë të suksesshme fëmijët u pajisën me disa artikuj si: fletore, libra ngjyrosjeje, letra me ngjyra, lapsa, stilolapsa, ngjyra, tabela me shkronjat e alfabetit e numra etj. Në seanca morën pjesë edhe prindërit të cilët u këshilluan nga stafi mësimdhënës sesi të ndiqnin e të vazhdonin procesin mësimor edhe në shtëpi. Seancat praktike konsistonin në angazhimin e fëmijëve në aktivitete praktike sërish sipas një plani të detajuar individual me qëllimin për të qenë më frytdhënës për fëmijët. Ata u aktivizuan në seanca ngjyrosjeje dhe në kombinimin e pikturave me numra e shkronja me qëllimin për të zhvilluar kujtesën.

Një tjetër aktivitet në këtë kuadër ishte përfshirja e fëmijëve në kuzhinë për të zhvilluar aftësitë e tyre në të kuptuarit e ushqimeve dhe ambientimin me kuzhinën duke fituar kështu një ndjenjë pavarësie dhe përmes motivimit dhe aktivizimit të tyre në shtrimin dhe mësimin e rregullave të sjelljes në tryezë. Në kuadër të seancave kulturore të dy shkollat speciale organizuan festimet me rastin e 1 Qershorit; me këtë rast 50 fëmijë nga Shkolla Speciale Durrës udhëtuan drejt kopshtit zoologjik ku patën mundësinë të shihnin e të mësonin për kafshë të ndryshme e më pas shkuan në plazh ku u organizua një koncert i vogël me këngë e poezi nga vetë fëmijët. Ndërkohë 30 fëmijë në Qendrën e Zhvillimit të Fëmijëve “Pëllumbat” në Tiranë festuan me këngë, poezi dhe një shfaqe kukullash ku u ftuan prindër e përfaqësues të institucioneve edukative në Tiranë.

Aktivitete të tjera të organizuara gjatë realizimit të projektit ishin pasurimi i bibliotekës së shkollave me tituj të rinj dhe aktivitetet e organizuara për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit përkundrejt personave me aftësi të kufizuar. Biblioteka u pasurua me 190 tituj librash me natyrë profesionale dhe literaturë për fëmijët, libra të cilat u menaxhuan nga stafi mësimdhënës sipas nevojave të fëmijëve gjatë seancave edukative ose gjatë kohës së tyre të lirë. Fëmijët u motivuan që të lexonin dhe t’i ritregonin historitë me fjalët e tyre duke praktikuar kështu leximin dhe duke zhvilluar fantazinë. Qëllimi ishte që ata të uleshin, të përqendroheshin dhe të ndiqnin shpjegimin e mësuesve ose leximin e fëmijëve të tjerë. Për rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit ndaj këtij grupi social me nevoja të veçanta u prodhuan postera dhe fletë informimi me rastin e 3 Dhjetorit 2009, që për Shkollën Speciale Durrës përkonte edhe me 35-vjetorin e hapjes së saj. Në festime erdhën edhe prindër e përfaqësues të Akademisë Teologjike Orthodhokse “Ringjallja e Krishtit” që kishin mbështetur disa nga aktivitetet në këtë shkollë, si dhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore Durrës që përmes festimit të krijimit të kësaj qendre synonin të përcillnin mesazhin e rëndësisë që institucione të këtij lloji kanë për fëmijët në nevojë dhe rëndësinë e integrimit të këtij grupi të veçantë në shoqëri.

Ndërkohë fëmijët në Qendrën e Zhvillimit të Fëmijëve në Tiranë të ndihmuar edhe nga stafi mësimdhënës përgatitën një festë me rastin e 3 Dhjetorit ku iu shpërndanë edhe pako me lodra dhe ëmbëlsira. Fëmijëve të të dyja shkollave iu shpërndanë edhe pako higjiene me artikujt bazë të kujdesit vetjak për t’i dhënë atyre mundësinë që të praktikojnë aftësitë në zhvillimin e ndjenjës së kujdesit për higjienën personale. Projekti “Duaj dhe respekto fëmijët me aftësi të kufizuara” u vlerësua nga mësuesit dhe prindërit pasi kontribuoi në përfshirjen e 120 fëmijëve në aktivitete edukuese dhe praktike, në pasurimin e bibliotekës së shkollës speciale në Durrës me rreth 190 tituj të rinj që ndihmuan procesin e edukimit dhe kreativitetin e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe rreth 500 fletë informimi e 100 postera u përdorën për të informuar dhe rritur ndërgjegjësimin e publikut për një shoqëri jo diskriminuese ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara.

Leave a Reply