Tetor, fushatë ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit

DSC040631
Aktivitetet në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave” vazhdojnë me përpjekjet për edukimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit për çështje të ndryshme shëndetësore e sociale. Një nga këto aktivitete ishte fushata e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit që u zhvillua gjatë muajit tetor. Diakonia Agapes së bashku me aktivistet e shëndetit organizuan në Rrogozhinë dhe Shushicë të Elbasanit, takime me gra të komunitetit me të cilat u diskutua për vetë-kontrollin e gjirit apo kontrollet e herëpashershme tek mjeku, të domosdoshme për të identifikuar kancerin e gjirit në faza të hershme.
Gjatë diskutimeve u theksua edhe nevoja e kryerjes së mamografisë, një test i domosdoshëm për t’u kryer nga gratë pas moshës 40 vjeçare. Në mënyrë simbolike të gjithë pjesëmarrësit në këtë fushatë kishin vendosur fjongon ngjyrë rozë, simbol i luftës kundër kancerit të gjirit, fjongo të cilat u punuan nga një grup të rinjsh vullnetarë të cilët shpesh ofrojnë kohën dhe aftësitë e tyre në aktivitete të zyrës Diakonia Agapes.

Leave a Reply