Jetë e shëndetshme për fëmijët dhe të rinjtë

DSC07199
Promovimi i një jete të shëndetshme për fëmijët dhe të rinjtë është një nga sfidat me të cilat përballen prindërit, mësuesit dhe shoqëria në tërësi sot.
Për t’iu përgjigjur kësaj sfide si dhe për të kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit të fëmijëve për një jetë të shëndetshme në kuadër të projektit “Jetë e shëndetshme për fëmijët” Diakonia Agapes ka organizuar në shkollat nëntëvjeçare të Polisit në rrethin e Librazhdit dhe Karinës në rrethin e Peqinit seanca ndërgjegjësuese me fëmijët.
Në fokus të këtyre seancave të ndërgjegjësimit ka qenë jeta e shëndetshme, komponentët e saj si dhe mënyrat për ta pasur atë. Temat e shëndetit dhe higjienës personale synuan përmirësimin e shprehive praktike të fëmijëve në çështje të tilla si: Higjiena personale si dhe kujdesi për sëmundjet që transmetohen nga kafshët shtëpiake.
Mjedisi është një tjetër komponent në fokus të seancave të ndërgjegjësimit. Njohja me rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit si dhe roli që fëmijët dhe të rinjtë mund të luajnë në këtë drejtim u bënë pjesë e diskutimeve dhe më vonë e iniciativave të ndërmarra në kuadër të projektit.
Dhuna në familje, shkollë dhe komunitet është shndërruar në një nga problemet më shqetësuese vitet e fundit në Shqipëri. Prandaj informimi i fëmijëve dhe të rinjve për shenjat e saj në familje, shkollë apo komunitet, si dhe format e shfaqjes së dhunës e pasojat e saj, është një kontribut i vogël për ta lehtësuar sadopak këtë fenomen.

Leave a Reply