Fuqizim i grave në zonat rurale përmes ndërtimit të jetesës së shëndetshme dhe aktive

Trajnim Rrogozhine
Diakonia Agapes është duke zbatuar për vitin e dytë projektin “Fuqizimi i grave” me mbështetjen financiare të Churches Helping Churches, Gjermani. Në qendër të tij është vendosur mirëqenia e grave dhe vajzave të Rrogozhinës dhe komunës Shushicë, Elbasan.
Përmes aktiviteteve të zhvilluara, më shumë se 200 gra dhe vajza u trajnuan dhe informuan për çështje të rëndësishme shëndetësore dhe sociale si kanceri i qafës së mitrës, kanceri i gjirit dhe dhuna në familje. Gjatë trajnimeve pjesëmarrëset u ndërgjegjësuan për rëndësinë e vetë-ekzaminimit të gjirit si dhe për kryerjen e Pap-testit, si dy nga mënyrat më të efektshme për parandalimin dhe zbulimin në faza të hershme të kancerit të qafës së mitrës dhe atij të gjirit. Ndërkohë që qëllimi i trajnimit për dhunën në familje ishte se si të formojmë shoqëri të shëndetshme dhe si të edukojmë brezin e ri për të drejtat e njeriut si dhe respektin për diversitetin dhe bashkëjetesën paqësore. Aspekti shëndetësor nuk përfundoi këtu pasi për më shumë se 120 gra u ofrua vizitë gjinekologjike si dhe për 40 prej tyre u mundësua kryerja e Pap-testit falas. Gjithashtu rreth 40 pjesëtarë të personelit shëndetësor u trajnuan mbi “Parandalimin e kancerit të gjirit” dhe u certifikuan nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Ky aftësim i personelit do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të ofruara nga këto qendra shëndetësore për komunitetin. Një element në fuqizimin e grave ishte edhe mbështetja e 55 prej tyre për përmirësimin e aktivitetit bujqësor dhe blegtoral në fermat e tyre. Gjatë këtij procesi ato kontribuuan financiarisht për blerjen e fidanëve të ullinjve, arrave, vreshtave, pjeshkave, përmirësimin e kushteve në sera dhe stalla, blerjen e pompave motorike spërkatëse dhe enëve përpunuese të qumështit si dhe bagëtive të imta.
Të gjitha aktivitetet kulmuan me Forumin vjetor i cili ofroi mundësinë për pjesëmarrëset të shkëmbenin informacionin e marrë gjatë projektit, të ndanin idetë e tyre mbi projektin, ndikimin e tij në jetët e tyre dhe në zonë, aspektet pozitive si dhe vështirësitë që dolën gjatë zbatimit të tij. Të gjitha përfundimet e nxjerra shërbyen si një pikënisje e mirë mbi të cilën ka filluar zbatimi i projektit për vitin 2013, me të tjera gra dhe vajza, sërish në Rrogozhinë dhe Shushicë të Elbasanit për t’i përfshirë e motivuar ato duke iu forcuar vetë-besimin dhe duke shërbyer si model për gra dhe vajza të tjera të komuniteteve ku jetojnë.

Leave a Reply